Detarët dhe Rregullat e Lojës

 Faktori njerëzor është elementi më i rëndësishëm në anijet tregtare që drejtpërdrejtë ndikon në sigurinë gjatë lundrimit në det. Një fuqi punëtore e arsimuar dhe e trajnuar me standarde është e nevojshme për zhvillimin e industrisë së transportit detar. Gjithashtu  konkurrenca e kompanive të transportit detar, të cilat gjithnjë e më shumë kërkojnë në bordin e flotave të tyre njerëz me eksperiencë, me njohuri të përditësuara dhe profesionist të certifikuar, është e prekur ndjeshëm nga niveli i tyre i performancës. E kundërta është e pa pranueshme, gabimet profesionale sjellin katastrofa njerëzore, mjedisore dhe ekonomike me kosto të pa përballueshme edhe nga vetë kompanitë me të fuqishme të tregut. Jo pa qëllim incidentet detare monitorohen dhe regjistrohen në çdo skaj të globit, në mënyrë që të nxirren mësime dhe të merren menjëherë masat e duhura për t’i shmangur ato në të ardhmen. Një edukim i mirë së bashku me një eksperiencë të standardizuar, i ofron detarëve më shumë mundësi punësimi dhe ndikon drejtpërsëdrejti në sigurinë e tyre personale, si dhe në mirëqenien sociale të familjes.

Detaria është një profesion i çmuar, një aset ekonomik për vendin, me faqosje ndërkombëtare. Kjo është arsyeja pse IMO ka përcaktuar rregulla të përbashkëta loje për arsimin dhe aftësimin e detarëve. Sistemi unik i kërkesave që parashikohen nga Konventa STCW dhe që është implementuar në të gjithë botën, nuk bën asnjë dallim nëse bëhet fjalë për Shqipërinë, Gjermaninë, Amerikën apo Indinë. Standardi minimal është njësuar me ligje, pavarësisht fuqisë ekonomike të shteteve që aderojnë në këto organizma ndërkombëtare. Sipas IMO-s pothuajse 80% e aksidenteve në det janë shkaktuar nga gabimi njerëzor. Është raportuar se gabimet nuk janë bërë zakonisht për shkak të rregullave të meta, të mangëta ose të pamjaftueshme, por për shkak se rregulloret dhe standardet që ekzistojnë, janë injoruar. Raportet e analizës së aksidenteve detare të IMO-s (cituar në Ziarati, 2007), në mënyrë të qartë tregojnë se shkaqet e shumë prej aksidenteve në det, kanë ardhur si rrjedhojë e mangësive në edukimin dhe trajnimin e detarëve. Nga reduktimi i financave të investuara për garantimin e sigurisë së lundrimit, në kurriz të ekuipazheve apo pasagjerëve që udhëtojnë me këto mjete lundruese. Por edhe nga mospërfillja e kushteve të sigurisë aktuale dhe rregulloreve përkatëse, si pasojë shpesh herë e indiferencës së Autoriteteve ligj-zbatuese.

Me qëllim disiplinim ligjor të kësaj situate, duke filluar nga viti 1978, ndër vite Organizata Ndërkombëtare Detare – IMO, ka zhvilluar Konventën mbi Standardet e Trajnimit, Certifikimit dhe Vrojtimit (STCW), që përfshin kërkesat minimale për edukimin detar dhe trajnimin e detarëve. Kjo Konventë, ku aderon me të drejta të plota edhe Shqipëria (Ref. A1/V/2.03 STCW/Qark.136, datë 1 Gusht 2002), dhe ku sot vendi ynë është pranuar në listën e bardhë të saj referuar qarkores: (MSC.1/Circ.1163/Rev.8, 7 January 2013), ka pasur disa amendime të mëdha; rishikimet më të fundit janë realizuar në Manila (Filipine) në qershor të vitit 2010.

Shqetësimet që prekin zbatimin e kësaj konvente shtrihen në tre fusha; e para ka të bëjë me ofruesit e trajnimeve detare të cilët kanë për detyrë të ruajnë zbatimin e standardit të vendosur nga Konventa, gjatë zhvillimit të trajnimeve respektive STCW. E dyta është se si këto standarde janë të monitoruara nga Qeveritë e vendeve anëtare dhe Organizmat ndërkombëtare të sektorit, dhe i treti shqetësim, lidhet me përmirësimin e vazhdueshëm të standardit minimal që përcakton Konventa, referuar praktikave më të mira.

IMO ka transferuar përgjegjësinë mbi zbatimin e STCW-së, tek Qeveritë kombëtare dhe Bashkimi Europian (BE). Për këtë qëlllim është themeluar Agjencia Europiane e Sigurisë Detare (EMSA), e cila ka si detyrë kontrollin e zbatimit të standardeve të Konventës nga shtetet aderuese të saj dhe njëkohësisht anëtare të BE-së. EMSA e ka zgjeruar përgjegjësinë e saj ligjore dhe zhvillon aktualisht monitorimin e STCW-së edhe në vendet jashtë BE-së.

Nga analiza e punës së kryer nga EMSA, është vërejtur se ka disa vende apo institucione, që nuk e zbatojnë siç kërkohet Konventën STCW. Këto vende nuk ndjekin as rekomandimet përkatëse që ofrohen nga grupi i auditorëve të EMSA-s pas kontrolleve të ushtruara. Kjo situatë bëhet tepër e komplikuar, për shtetet anëtare të kësaj Konvente, në rastet kur raportet e EMSA-s, i paraqiten për vlerësim Komisionit të Sigurisë Detare që operon pranë IMO-s. Ky komision, bazuar në raportet e auditorëve, merr masa penalizuese ndaj shteteve anëtare që nuk përmbushin standardin minimal të vendosur. Pasoja për shtetin anëtar me performancë negative, është pezullimi nga lista e bardhë e Konventës STCW. Si rrjedhojë detarët e atij shteti nuk lejohen më të lundrojnë në anijet e huaja që mbajnë flamur të ndryshëm nga dokumentacioni i tyre (licensat C.O.C - STCW) të lundrimit. Shtetet e tjera anëtare nëse vërejnë përjashtimin e një vendi nga lista e bardhë, nuk janë më të gatshme të lëshojnë njohje (endorsement në bazë te Rregullit 1/10 STCW), për certifikimet e detarëve, vendi i të cilëve nuk respekton kushtet minimale të edukimit dhe çertifikimit. Kësisoj, pasojat janë tepër problematike për ekonomine e shteteve, sidomos atje ku profesioni detar prek ndjeshëm statistikat mbi gjendjen e punësimit në vend. Ky skenar ka ndodhur më parë, në vitet 2006-2010-2013, kur inspektoret e EMSA-s u dërguan për të monitoruar standardet e trajnimit dhe çertifikimit në Filipine. Nga raporti i tyre u vërtetuan shumë mangësi mbi procesin e trajnimit dhe certifikimit. Oficerët dhe kapitenet Filipinas u penalizuan për më shumë se 2 vite nga lista e bardhë e Konventës STCW dhe nuk u lejohej më të punësoheshin në anijet me flamur të huaj. Këtë situatë vendi ynë e ka shumë të freskët, pasi detarët tanë rishtazi (7 Janar 2013), janë lejuar të punësohen për herë të parë në tregun e flotave të huaja tregtare. Progresi që vendi ynë ka bërë në zbatim të standardeve të kërkuara nga Organizmat Ndërkombëtare ku aderojmë, nuk duhet të tjetërsohet e të zbehet duke na kthyer atje ku ishim, pra në listat e zeza. Prandaj çështja e rregullave të lojës mbi arsimin dhe punësimin detar duhet marrë shumë seriozisht nga të gjithë aktorët e fushës.

 

Nga Av. Dorian Mersini