Rreth Qendres se Trajnimit Detar

T.S.T.S. Group, e njohur si Instituti për formimin e detarëve, jo – publik, i autorizuar nga Qeveria Shqiptare, zhvillon aktivitet te shtrirë me shumë filiale në të gjithë qytet - portet Shqiptare.

Kurset e formimit të organizuara në këtë qendër, janë në përputhje me parashikimet e Konventës IMO – STCW '95 dhe kontribuojnë në ofrimin e një informacioni të saktë dhe të përditësuar për detarët që ushtrojnë shërbim në bord, si për anijet shqiptare po ashtu dhe për ato të huaja që lundrojnë në të gjithë botën. Ky program informimi është zhvilluar me idenë për të instruktuar me kompetencë njerëzit e detit me qëllim përmbushjen e standardeve më të larta të kërkuara nga progresi i vazhdueshëm i industrisë detare dhe off-shore.

Ky sistem është projektuar për të përmbushur me sukses kërkesat e veçanta për arritjen e objektivave të mëposhtme:

  • Funksionimi i sigurtë i anijeve për mbrojtjen e ambientit.
  • Edukimi dhe përmbushja e kërkesave sipas standardeve të fiksuara nga IMO.
  • Shërbimi i ekuipazhit nëpërmjet një informimi të avancuar në aulat e Qendrës.
  • Operacionet e vazhdueshme në anije, për uljen e rrezikut të humbjeve në nivel zero.

Qendra zotëron një skuadër instruktorësh vendas dhe të huaj të kualifikuar dhe certifikuar për secilin program mësimdhënie, me vite eksperiencë në det dhe në sektorin industrial, që aplikojnë modalitetet e informimit bazë e të avancuar.

Ndër të tjera, kemi kënaqësinë t’ju informojmë se së fundmi, Qendra e Trajnimit të Marinarëve "TSTS Group", pasi kaloi me sukses një auditim tre mujor, nga grupi i inspektorëve të Shoqërisë Ndërkombëtare të Klasifikimit “RINA – Genova”, mori certifikimin mbi cilësinë dhe menaxhimin e shërbimeve që ofron kjo kompani: (ISO 9001:2008 Certifikata e Standardeve Europiane).

Ky standard i ri, që për herë të parë përmbushet nga një Institucion shqiptar edukimi, do të ndihmojë ndjeshëm për krijimin e mundësive të reja formimi dhe punësimi, jo vetëm për detarët shqiptarë, por gjithashtu dhe për ata detarë të huaj, të cilët do të përzgjedhin këtë qendër, për t’u certifikuar sipas kritereve të Konventës STCW78/95.

Misioni jonë është progresi i vazhdueshëm në fushën e formimit detar profesional e industrial dhe pozicionimi i Qendrës T.S.T.S, në një nivel të lartë ndërkombëtar, si Instituti i Trajnimit Profesional.